“Vazhdojmë të përbashkuar” – Lojtarët e Kosovës vizitojnë “Dardanët” para nisjes në Andorrë
Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës kanë vizituar tifogrupin “Dardanët” pak para nisjes për në Andorrë, atje ku do ta zhvillojnë ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Kosova luan në udhëtim tek Andorra më 12 tetor me fillim nga ora 20:45, shkruan lajmi.
Kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha publikoi disa fotografi të përbashkëta gjatë vizitës së lojtarët të Kosovës tek fanclubi i tifogrupit.
I pranishëm në mesin e tifozëve dhe lojtarëve ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
“Si zakonisht edhe kësaj radhe djemtë e Kombëtares së Kosovës na nderuan të gjithë ne Dardanëve me vizitën e tyre pak para nisjes drejt Andorrës”.
“Lidhja mes ne tifozëve dhe lojtarëve është organike dhe e pastër. Ne do t’u qëndrojmë pranë në çdo rrethanë dhe formë në të cilën do të kalojnë. Nuk jemi tifozë të suksesit, por besojmë në një ideal të përbashkët, që është fuqizimi i kësaj kombëtare. Vazhdojmë të përbashkuar. Forca bijtë e Dardanisë” – ka shkruar Berisha në Facebook.
Kosova ka humbur të gjitha gjasat për kualifikim në Evropian pasi ka tubuar vetëm katër pikë pas gjashtë ndeshjeve në Grupin I.
Dardanët kanë në program edhe një ndeshje në muajin tetor, atë me Izraelin në Prishtinë tri ditë pas takimin me Andorrën, por takimi pritet të shtyhet për shkak të konfliktit dhe sigurisë në Izrael.