Kosova U21 fillon përgatitjet për duelin me Bullgarinë, Tovërlani beson tek Dardanët e rinj
Kombëtarja e Kosovës U21 I ka filluar përgatitjet për ndeshjen e radhës në Grupin D në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025 kundër Bullgarisë, e cila zhvillohet më 17 tetor Sofje.
Në stërvitjen e parë përzgjedhësi Afrim Tovërlani kishte në dispozicion 17 futbollistë, derisa ekipi pritet të kompletohet të mërkurën.
Pas fitores në qershor kundër Andorrës, Dardanët U21 pësuan dy humbjeve në muajin e kaluar, kundër favoritëve të grupit, Gjermanisë dhe Polonisë.
Megjithatë, tani shpresat janë që kundër bullgarëve të arrihet rezultat pozitiv.
“Gjendja nuk është e keqe por as më e mira jo. I kemi tri mungesa të rëndësishme: Liridon Emërllahu, Elvis Letaj dhe Florian Haxha, që për një kombëtare si Kosova nuk është e lehtë t’i zëvendësosh. Por, atyre që do t’u jepet rasti duhet ta shfrytëzojnë. Bullgaria është një kundërshtare që nuk mund të themi se është sikur Gjermania dhe Polonia, por nëse nuk i kryejmë detyrat me shumë disiplinë e angazhim mund të pësojmë edhe më keq. Mirëpo, mendoj se kundër bullgarëve e kemi më lehtë të përballemi sesa ndaj dy kundërshtarëve paraprakë, të cilët janë favoritë të grupit. Duhet të përgatitemi në mënyrën më serioze pavarësisht emrit të kombëtares kundërshtare. Sigurisht se në këtë ndeshje do ta ndryshoj edhe sistemin e lojës, ngase kundër gjermanëve kam qenë i detyruar të luajmë në mbrojtje sepse niveli i tyre ishte shumë më i lartë”, ka theksuar Tovërlani.
Optimist për rezultat pozitiv u shpreh edhe futbollisti Dion Krasniqi: “Kam shumë besim në këtë grup lojtarësh. Edhe pse kemi pësuar humbje në dy ndeshjet e fundit, por kanë qenë lojëra shumë të mira. Besoj në bashkëlojtarët e mi dhe të marrim rezultat pozitiv”, tha ai.