Trajneri i Çekisë: Shqipëria e stuhishme, “na shqyejnë” nëse nuk luajmë si grup

Trajneri i Çekisë: Shqipëria e stuhishme, “na shqyejnë” nëse nuk luajmë si grup

Komisari teknik i Republikës Çeke ka dhënë sot një intervistë në portalin “sport.cz”.

Siç pritej shqetësimi më i madh ishte ai lidhur me ndeshjen e radhës të formacionit në fjalë, i cili i bën vizitë Shqipërisë të enjten.

“Duhet t’i bindim djemtë se janë të mirë, të fortë, të sigurt dhe duan të kenë sukses. Kjo është tmerrësisht e rëndësishme. Nëse nuk i besojmë njëri-tjetrit, do të na shqyejnë në Shqipëri”, thotë trajneri i kombëtares Jaroslav Silhavi.

Ai është i vetëdijshëm se lojtarët e tij në “Air Albania” do të kenë edhe publikun kundër dhe paralajmëron të besuarit e Silvinjos se kjo nuk është diçka e re.

“Kanë mbetur edhe pak ditë nga ndeshja, nervozizmi është i kuptueshëm. E dimë se atmosfera atje do të jetë e stuhishme, ka pasur një interesim të madh për ndeshjen në Shqipëri, njerëzit atje janë me temperament. Por djemtë tanë luajnë në kompeticionet më të mira Europiane, ku mbase pesëdhjetë mijë njerëz vijnë për t’i parë në ç’do ndeshje. Janë mësuar me gjithçka. Në fund, një atmosferë e stuhishme mund të jetë edhe në ligën tonë. Mendoj se duhet ta durojmë këtë, megjithëse nuk e mohoj që ambienti vendas do të jetë avantazh për kundërshtarin”, tregon Silhavi.

Mes të tjerash ai tregon se ku u surprizua nga ndeshja e parë që zhvilloi me Shqipërinë, takim ky që përfundoi pa gola.

“U befasuam që humbëm shpesh herë topin, sidomos në pjesën e parë. Pasime të këqija, topa të gjatë, ndërhyrje të humbura, pak lëvizje. Ishte shumë keq në pjesën e parë, kjo nuk mund të ndodhë me ne. Disa aksione po zhvilloheshin mirë, por gabuam në pasimin e fundit. Situata të tilla u përsëritën gati dhjetë herë. Përveç kësaj, u vendosëm shumë keq në fushë duke lënë shumë hapësira dhe duke humbur kontaktet mes reparteve”, analizon komisari teknik çek.

Share This