‘Finalja’ ndaj Çekisë: Ramadani e Seferi premtojnë rezultat pozitiv, thirrja për tifozët: Kujdes me flakadanët, kemi nevojë për ju
Ylber Ramadani dhe Taulant Seferi kanë dalë para mediave në prag të ndeshjes me Çekinë, për kualifikueset e kampionatit europian “Gjermani 2024”.
Të dy futbollistët e kanë vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe e dinë rëndësinë e këtij dueli, që do të luajnë në “Air Albania” më 12 tetor prej orës 20:45.
Mesfushori Ramadani theksoi se duhet të bëjnë më të mirën në fushë dhe të kërkojnë fitoren, pasi këtë herë luajnë në shtëpi dhe do kenë edhe përkrahjen maksimale të tifozëve. Ai kërkon prej tyre që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin dënimin, pasi u duhen edhe për ndeshjet në vazhdim.
Momenti i mirë në klub dhe në Kombëtare – Normalisht me Kombëtaren nëse arrijmë Europianin është një gjë e madhe për mua, për gjithë Shqipërinë, për familjen time. Edhe atje në Itali jam duke u paraqitur mirë. Shpresoj të vazhdoj kështu.
Me çfarë mentaliteti keni ardhur në pragndeshjen me Çekinë? – Kemi ardhur me mentalitetin e duhur kur e kemi përfunduar ndeshjen me Poloninë. Është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është ndeshje e lehtë, pasi kundërshtari është i fortë. Kanë pësuar vetëm dy gola, por ne duhet të futemi në fushë vetëm me qasjen e duhur, pa eufori dhe ta bëjmë maksimumin e të marrim rezultatin pozitiv.
Çfarë duhet të bëjmë ndryshe nga ndeshja e parë me Çekinë? – Ndeshja në shtëpi është më ndryshe, pasi luajmë në fushën tonë, kemi tifozët tonë që na përkrahin shumë. Do hyjmë më ndryshe në fushë, do hyjmë për ta fituar ndeshjen.
Mediat italiane shkruajnë se ishe i përqendruar te Kombëtarja ndeshjen e fundit? – Jo, isha i foksuuar te ndeshja me Sassuolon, sepse edhe ne na duhen pikë atje për të shpëtuar prej rënies nga liga. Normalisht kur mbaron ajo ndeshje pastaj automatikisht vëmendja kalon te Kombëtarja.
Sa e vështirë është të bësh dy ndeshje të mira radhazi? – Është hap i madh për mua, pasi Serie A është kampionati i dytë më i fortë në botë. Jemi profesionistë, pasi luajmë shumë ndeshje. Edhe këtu kur jam, e jap maksimumin. Gjithmonë kam qenë kështu. Shpresoj që edhe këtë ndeshje me Çekinë ta jap maksimumin.
Do tentojmë diçka më shumë me Çekinë, apo do bëjmë llogari për në nëntor? – Normalisht ne do hyjmë në fushë për më shumë, pasi kemi tre finale dhe kjo është njëra prej tyre. Do hyjmë të japim maksimumin, pasi e dimë çfarë na pret po e morëm rezultatin pozitiv.
A keni diskutuar me njëri-tjetrin për llogari? – Janë edhe tre ndeshje, siç thashë edhe më parë janë tre finale. Llogaritë do të bëhen pastaj. Ne duhet të hyjmë në këtë ndeshje të bëjmë maksimumin sepse është ndeshje e rëndësishme, sikurse edhe dy të tjerat. Shpresojmë të bëjmë mirë, pastaj në fund bëhen llogaritë.
A ka presion brenda skuadrës? – Jemi profesionistë, ço herë ka presion, çdo ndeshje. Ne duhet ta menaxhojmë në mënyrën e duhur dhe kokën e duhur, sepse nuk duhet të bëjmë ndonjë gjë që do të na dëmtojë neve. Duhet të jemi të përqendruar maksimalisht nga minuta e pare.
Si e vlerësoni Çekinë? – Ata janë të dytë në grup, janë ekip shumë i fortë fizikisht. Ata janë treguar më të fortë se Polonia dhe normalisht që janë kundërshtari ynë.
Interesimi i tifozëve, çfarë do të thotë për ju? – Kjo do të thotë që përkrahja është shumë e madhe për ne dhe shpresoj të mos i zhgënjejmë. Duam edhe këtë ndeshje ta bëjmë si ndeshjet e kaluara. Doja t’i falënderoja tifozët, anembanë shqiptarisë, që vijnë e na mbështesin dhe bëjnë kështu përkrahjeje për ne. Duhet t’ua kthejmë në fushë.
Rreziku i dënimit, a keni një thirrje për tifozët? – Normalisht do u lutesha që të mos hedhin sende në fushë, sepse na duhen për ndeshjet e radhës. Ata janë lojtari i 12-të i joni dhe mendoj se do ishte mirë të jenë me ne gjithmonë. Nuk duam t’i humbim nga sendet e hedhura në fushë.
Për sulmuesin kuqezi të Kombëtares, Taulant Seferi, konkurrenca në ekip nuk është aspak problem. Djaloshi shqiptar vlerëson grupin kuqezi, ndërsa thekson se skuadra është e fortë, e karikuar dhe e fokusuar maksimalisht për ‘finalen’ ndaj Çekisë. Seferi vlerëson sulmin shqiptar, ndërsa ka edhe një thirrje për të gjithë tifozët shqiptarë: të shmangin hedhjen e flakadanëve apo sendeve të tjera në fushë. Taulant Seferi nënvizon gjithashtu se Çekia është një skuadër shumë e fortë, ndërsa premton nga ana tjetër se kuqezinjtë do të japin maksimumin e tyre ashtu sikurse në ndeshjet e tjera.
Konkurrenca në Kombëtare – Për Kombëtaren, është shumë mirë kur ka konkurrencë dhe ne kemi një grup shumë i fortë. Sa i përket se kush do të luajë e kush jo, e vendos trajneri dhe ne na mbetet vetëm të punojmë fort dhe t’i tregojmë se jemi gati. Pastaj do shohim se kush do e nisë si titullar e kush jo.
Energjitë për të përballuar këto ‘tre finale’ – Këto janë tre finale. Fokusi ynë është te ndeshja e radhës dhe besoj që energjia e lojtarëve është ajo e duhura. Ne kemi ardhur të karikuar e të fokusuar maksimalisht. Uroj që në këtë ndeshje të dalim me rezultat pozitiv dhe të shohim më pas ndeshjet e radhës.
Ofensiva më e mirë që kanë pasur kuqezinjtë? – Besoj se po, pasi kemi bërë shumë gola. Besoj se ky është sulmi më i mirë që ka pasur Kombëtarja. Kjo më bën të lumtur sepse konkurrenca e bën grupin dhe ekipin më të fortë. Shpresojmë që kjo konkurrencë e madhe në grup të na shërbejë për rezultate pozitive. Kur Kombëtarja shënon, është diçka e bukur për ne sulmuesit dhe diçka e mirë. Kombëtaren nuk e bën një repart, por ne jemi grup dhe forca më e madhe e skuadrës është grupi.
Golat përpara grumbullimit me Kombëtaren – Është motivim shtesë. Ne luajmë për të shënuar dhe jemi të lumtur kur shënojmë. Shpresoj që të shënojmë edhe tani me Kombëtaren, sepse është koha.
Çfarë kemi ne më shumë se Çekia për t’ia dalë të enjten? – Shpirtin luftarak dhe zemrën. Tifozët. Me ta jemi më të fortë, kjo edhe për faktin që luajmë në shtëpi dhe na jep një shtysë edhe më të fortë neve si lojtarë. Po shfrytëzoj edhe rastin për një thirrje kundrejt tifozëve: Mos hidhni flakadanë sepse do na dënoni. Ne kemi nevojë për ju. Na duhet përkrahja juaj edhe në ndeshjet e radhës. Kini kujdes me hedhjen në fushë të flakadanëve apo sendeve të tjera.
Mungesa e Patrik Shik te kundërshtarët – Çekia është kundërshtari më i fortë i këtij grupi. Ka pësuar vetëm dy gola dhe nuk ka asnjë humbje. Çekia nuk është vetëm Shik. Janë një Kombëtare fizikisht e fortë dhe duhet të kemi kujdes. Por siç e thashë edhe më herët, ne duhet të lëmë shpirtin e zemrën në fushë në këtë ndeshje dhe shpresoj që t’ia dalim.
Të kënaqur edhe me një barazim? – Shqipëria futet në lojë për të marrë maksimumin. Besoj që ne kemi grupin e duhur, jemi të karikuar dhe të fortë.