Nga Zhegrova te Muriqi e Korenica – vlerësimet e futbollistëve shqiptarë nëpër botë
Futbollistët kosovarë kanë shkëlqyer edhe këtë fundjavë në arenën evropiane me klubet e tyre.
Kësisoj Telegrafi në bashkëpunim me SofaScore vazhdon t’i sjell për lexuesit e saj vlerësimet e pesë futbollistëve që kanë marrë notat më të larta në fundjavë.
Edon Zhegrova ka qenë fantastik për Lille, ku mori notën 8,3 në barazimin që kjo skuadër e mori te Lens 1-1.
Reprezentuesi kosovar asistoi në golin e vetëm të skuadrës së tij, pati katër pasime kyçe dhe gjashtë driblime të suksesshme gjatë 90 minutave sa qëndroi në fushë.
Me notë të lartë u vlerësua edhe Vedat Muriqi 7,6 në barazimin e Mallorcas 1-1 ndaj Valencias.
Ylli dardan nuk shënoi në këtë ndeshje, por dha një asistim për t’i siguruar një pikë skuadrës së tij.
Me asistim kontribuoi edhe Florent Muslija në fitoren e Paderbornit në udhëtim te Eintracht Braunschweig, derisa mori notën e njëjtë si Vedat Muriqi.
Mesfushori i ri Ismet Lushaku ishte fantastik për Varbergs në përballje me Djurgardens duke u vlerësuar me notë 7,5.
E paraqitje shumë të mirë pati edhe Meriton Korenica që luajti titullar ndaj Sakaryaspor duke u vlerësuar me notë 7,4.