Kurti premton 1 miliard euro për ushtrinë e prodhim të dronëve

Kurti premton 1 miliard euro për ushtrinë e prodhim të dronëve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i sigurt që do të jetë Lëvizja e tij Vetëvendosje ajo që do të qeverisë vendin edhe në katër vitet e ardhshme.

Këtë e dëshmoi pasi në mbledhjen e së mërkurës (26 mars) së kabinetit të tij, premtoi një sërë investimesh për mandatin e ardhshëm katërvjeçar si dhe një buxhet me vlerën e një miliardë eurove për ushtrinë.

“Buxheti për ushtri është trefishuar, investimet në armatim  janë shumëfishuar përfshirë dronët Bayraktar dhe kontratën për funksionalizimin e fabrikës së municionit. Mandatin e ri ushtrisë do ti ndajmë mbi 1 miliardë euro e do të kemi fabrikë të municionit të dronëve ushtarak ‘Made in Kosova’ që do t’i prodhojmë vetë”, tha Kurti.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti foli edhe për katër komunat në veri të vendit ku sipas tij është shtrirë  ligjshmëria dhe sovraniteti i shtetit.

“Tabela ilegale dhe patentë shoferë nuk ka më sepse janë konvertuar në RKS. Strukturat ilegale janë mbyllur dhe atje funksionojnë tashmë institucionet e Kosovës që u shërbejnë qytetarëve pa dallim. Me programin qeveria për familjen i kemi rreth 530 të punësuar në veri nga nacionaliteti serb”, tha ai.

Ndër të tjera, ai bëri me dije se në 254 mbledhje të qeverisë që ai drejton janë marrë 2257 vendime në të mirë të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik, si dhe reformave të nevojshme për përparim dhe mbrojtje të interesit shtetëror dhe publik.

Si sukses ai përmendi liberalizimin e vizave, përfaqësimin e Kosovës në CEFTA pa UNMIK.

Ai gjithashtu përmendi edhe rritjen e pagave në sektorin publik, dhe rritjen e pagës minimale në sektorin privat, për të cilën tha se në mandatin e ardhshëm do të rritet mbi 500 euro.

Kemi rritje të pensioneve prej mbi 300 mijë pensionmarrës janë rritur prej 20%, përveç rritjes së rregullt të gjithë kanë marrë shtesa prej 100 euro pesë herë gjatë mandatit tonë. Rreth 70 mijë nëna lehona sërish për herë të parë kanë marrë shtesa nga shteti, sikurse edhe mbi 400 mijë fëmijë. Për fëmijët i kemi dyfishuar dhe trefishuar shtesat. Tre herë kemi rritur pagën në sektorin publik, në sektorin privat pagën minimale dy herë. Nga 130-170 sa e kemi gjet në 265 euro dhe nga 265 në 350 euro. Mandatin tjetër do ta rrisim përsëri mbi 500 euro”, tha Kurti.

Share This