Osmani dhe Kurti kërkojnë drejtësi për maskarën e Krushës së Madhe

Osmani dhe Kurti kërkojnë drejtësi për maskarën e Krushës së Madhe

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, para familjarëve të masakruarve 26 vjet më parë në Krushë të Madhe, u betua se nuk do të ndalen asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë e krimet mizore të Serbisë të marrin dënimin e merituar.

Osmani: Nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht

E para e vendit tha se kur në një fshat vriten kaq shumë njerëz të pafajshëm e derdhet kaq shumë gjak, ai nuk është vetëm një vend në hartë, por është një dëshmi e përjetshme.

“Sot qëndrojmë në Krushë të madhe aty ku dhembja  është gdhendur në çdo gur, në çdo prag shtëpie, në çdo zemër që rreh për drejtësi. Para 26 vitesh ky fshat u goditë nga një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. 241 burra e djem u masakruan mes tyre 7 fëmijë e 5 gra përfshirë edhe një grua shtatzënë” , th gjatë fjalimit presidentja.

Edhe pas 26 vitesh kur ende 64 persona figurojnë të zhdukur, e para e shtetit tha se është një krim i shumëfishtë i Serbisë gjenocidale sepse familjet e tyre jetojnë çdo ditë me dhimbjen, me mallin e një pritjeje që nuk merr fund asnjëherë.

“E në këtë radhë të gjatë të dhimbjes qëndron edhe një emër i madh i kombit tonë, një mendje ndritur, një figurë e paharruar, Ukshin Hoti. Prej më shumë se dy dekadash edhe fati i tij, sikurse i të gjithë banorëve të Krushës që sot janë të zhdukur me dhunë, mbetet i pazbardhur”, tha ajo, para familjarëve në këtë ditë përkujtuese.

E para e shtetit tha se një intelektual, një patriot, një zë i guximshëm i kombit u mor me dhunë nga regjimi kriminal serb, ndaj prej atëherë nuk dihet më asgjë për të, përveçse atë e mori Serbia.

“Ky mister nuk është vetëm një padrejtësi ndaj Ukshin Hotit e familjes së tij, por një plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Sepse pyetja,  ‘ku është Ukshin Hoti?”, ende kërkon përgjigje, siç kërkojnë përgjigje edhe rreth 1600 të zhdukur me dhunë”.

Osmani tha se masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, por është e përditshmja, është e sotshmja.

“Sepse dhimbja vazhdon edhe sot, njësoj si para 26 vitesh. Ajo është  një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre të mbetet pa zë, e sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe, është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë. Sot para kujtimit të martirëve tanë, para dhembjes së familjeve të tyre, para kësaj toke të shenjtë, ne bëjmë betim. Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk do të pushojmë derisa krimet që u kryen nga ana e Serbisë të marrin përgjigjen e duhur. Nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e Krushës së Madhe”, tha presidentja.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në përkujtimin e masakrës së kryer nga forcat serbe në Krushë të Madhe të Rahovecit, tha se në këtë vend që mban emrin dhe dhembjen e madhe jemi bashkë për të nderuar kontributin e sakrificën e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës.

Ai tha se bashkë me familjarë të mbijetuar e dëshmitarë të masakrës së Krushës së Madhe sot përkujtohet një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb.

“Forcat e Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë e në mesin e tyre edhe intelektualin e jashtëzakonshëm dhe veprimtarin e paepur, Ukshin Hoti. Mbi 700 shtëpi u dogjën, bashkë me institucionet fetare e kulturore. Në Krushë të Madhe janë edhe dy krematoriume. Në krematoriumin e parë, gjurmët e të cilës janë ende të dukshme, forcat serbe dogjën 19 civilë të pafajshëm shqiptarë e në krematoriumin e dytë, në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, u dogjën mizorisht mbi 40 civilë të tjerë”, tha Kurti.

Ai tutje vuri në dukje se në Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe, janë dëshmitë, sa të krimeve të Serbisë gjenocidale, aq edhe e ngadhënjimit të Kosovës.

Më tej, kryeministri Kurti përmendi vizitën e ish-ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Robin Kuk, në qershor të vitit 1999, derisa citoi fjalinë e tij: “Ata i kishin vrarë qëllimisht dhe pamëshirshëm dhe se po aq sa ndjej keqardhje për viktimat, ndjej zemërim të thellë ndaj atyre që kryen këto vrasje dhe ndaj atyre që dhanë urdhrat në Beograd”.

Kurti më tej shtoi se policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur plan të qartë për të kryer krime, por që, vuri në dukje ai, brenga e tyre më e madhe ka qenë zhdukja e kufomave, pra zhdukja e gjurmëve të krimit.

“Për të mbledhur dëshmitë dhe për të dokumentuar me saktësi krimet anembanë Kosovës kemi funksionalizuar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, andaj u bëj thirrje të gjithëve që të kontribuoni me të dhëna e dëshmi në këtë proces të rëndësishëm për ruajtjen e historisë, nderimin e viktimave dhe të ardhmen e brezave të rinj”, tha Kurti.

Ai tha se për adresimin e krimeve të luftës është adresuar baza ligjore e munguar për shumë vite dhe është rritur kapaciteti i institucioneve për adresim efikas të tyre për hetimin dhe të vërtetën.

“Nga këtu i bëj thirrje sistemit të drejtësisë në Kosovë që të trajtojë krimet e luftës me urgjencë dhe përgjegjësi morale, historike e kombëtare, përveçse profesionale”, tha mes tjerash, kryeministri Kurti. /rtk/

Share This