
KORE E JUGUT – Të paktën 24 të vdekur pas shpërthimit të zjarreve
Numri i të vdekurve nga zjarret që përfshiu Korenë e Jugut juglindor është rritur në të paktën 24, ndërsa autoritetet njoftuan se shifrat mund të vazhdojnë të rriten.
Agjencia zyrtare e lajmeve “Yonhap” raportoi sot se të paktën 18 persona kishin vdekur në juglindje të vendit që nga pasditja e djeshme, duke e çuar numrin e përgjithshëm në të paktën 24. Një person ishte raportuar gjithashtu i zhdukur dhe dy persona të tjerë ishin plagosur rëndë.
Sipas “Yonhap”, rreth 5 000 zjarrfikës dhe më shumë se 140 helikopterë janë aktualisht në terren për të luftuar zjarret, të cilat tashmë kanë shkatërruar rreth 17 000 hektarë pyje.
Autoritetet kanë shpallur të paktën katër qarqe në rajon si zona të fatkeqësisë.
Zjarret, të cilat filluan të premten në kontenë Sancheong, rreth 250 kilometra në juglindje të Seulit, kanë shkaktuar shkatërrime të konsiderueshme. Disa vende historike janë shkatërruar.
“Tempulli Goun në Uiseong, i ndërtuar në vitin 681 u shkatërrua”, raportoi “Yonhap”, duke shtuar se thesaret kombëtare të ruajtura në tempullin antik ishin zhvendosur përpara shkatërrimit të tij.
Fshati historik Hahoe, të cilin UNESCO e shpalli një sit të Trashëgimisë Botërore në vitin 2010, është gjithashtu i kërcënuar nga flakët.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuime për të mbrojtur banorët.
“Zjarret janë nxitur nga erërat e thata dhe një thatësirë e zgjatur”, sipas zyrtarëve.
Zjarret nuk janë të rralla në Korenë e Jugut gjatë periudhave të thata. Vitet e fundit në vend janë rritur si temperaturat mesatare ashtu edhe ngjarjet ekstreme të motit, duke rritur ndjeshëm rrezikun dhe ashpërsinë e zjarreve.
Ekspertët e shohin rritjen e zjarreve si një shenjë të efekteve të vazhdueshme të ndryshimeve klimatike. /atsh/