Sidroma e “të voglave” dhe frika e Inzaghit, Interi sheh makthet e të kaluarës
Dy ndeshje radhazi në shtëpi dhe 5 pikë të lëna, kanë ndezur sirenat e alarmit te Interi, që po fillon të shfaqë të njëjtat dobësi të dy sezoneve të fundit, ku ndonëse ka qenë skuadra më e fortë në letër, sërish nuk ia ka dalë të fitojë titullin kampion.
Një titull që në Milanon zikaltër e kanë objektiv primar këtë sezon dhe këtë e di mirë edhe Simone Inzaghi, i cili duhet të jetë vërtetë i shqetësuar kur sheh skuadrën të lërë pikë si ndaj Sassuolos e ndaj Bolognës.
Dy ndeshje në të cilat Interi kaloi i pari në avantazh, por ekipi më pas u fsheh në fushë në mënyrë të pakuptimtë, duke treguar se ka ende probleme personaliteti dhe ndonëse bën gjithçka mirë ndaj të mëdhave, nuk di të tregohet skuadër e madhe me ekipet e vogla.
Ndaj Bolognës skuadra shënoi dy herë brenda 13 minutave, por më pas dhuroi ndeshjen me një penallti krejt të panevojshme të shkaktuar nga Lautaro dhe një shpërqendrim të treshes së mbrojtjes në rastin e golit të dytë të emilianëve, të dyja këto shenja që skuadra nuk e kishte vlerësuar aspak siç duhet kundërshtarin.
Natyrisht një punë të madhe këtu duhet të bëjë edhe trajneri Inzaghi, që duhet t’u bëjë të qartë të tijve se fitorja vlen 3 pikë, qoftë nëse arrihet me rezultat të thellë ndaj Milanit, qoftë nëse rezultati është minimal si ndaj Empolit dhe neglizhenca nuk duhet të ekzistojë në mendjen e Lautaros me shokë, nëse duan yllin e dytë në fanellë.
Gjithsesi trajneri Inzaghi ka ende shumë për të përmirësuar edhe te vetja, nëse dëshiron të bëjë atë hapin e madh që i mungon në karrierë, të fitojë një titull kampion.
Ndonëse me organikën më të kompletuar në kampionat, Inzaghi nuk heq dorë thuajse asnjëherë nga 11-shja e tij e preferuar dhe kërkon mrekulli në harkun e 4 ditëve nga dy 35-vjeçarë si Acerbi e Mkhitaryan, duke harruar në stol lojtarë si De Vrij, Frattesi, Klaassen e Sensi.
Nuk janë të pakta kritikat për Inzaghin as në lidhje me zëvendësimet, që trajneri nga Piacenza ka treguar shpesh së nuk ua thotë fare dhe në vend ta ndihmojë skuadrën, e fut më shumë në kaos.
Në dy raste kur i duhej të shënonte patjetër, ndaj Sassuolos dhe Genoas, trajneri zikaltër ka larguar Thuram për Sanchez, duke i hequr skuadrës centimetra, finalizim e shpejtësi, për të shtuar disa elementë teknikë që shpesh janë të panevojshëm mes mbrojtjeve të ngjeshura të kundërshtarëve.
Sa herë që kërkohet një marsh tjetër, një zgjidhje taktike për të befasuar kundërshtarin, Inzaghi nuk di ta japë, teksa zëvendësimet janë gjithmonë kokë më kokë. Thënë ndryshe, shumë ndryshime për të mos ndryshuar asgjë.
Ndërprerja e kampionatit vjen në kohën e duhur për trajnerin zikaltër, që do të ketë pak lojtarë në dispozicion, por shumë kohë për të reflektuar dhe marrë masat e nevojshme, në mënyrë që të mos përsëritë gabimet e dy sezoneve të fundit.
A do t’ia dalë? Sigurisht që koha do ta tregojë, por pikërisht kjo kohë është armike e objektivave, pasi nuk të pret pa fund dhe ndryshimi në mentalitet, si të lojtarëve, ashtu edhe trajnerit, duhet të jetë i menjëhershëm…