
Sylvinho para duelit me Anglinë: Do të jetë një ndeshje e vështirë, por…
Kombëtarja shqiptare nesër mbrëma luan ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës ndaj Anglisë, në stadiumin “Wembley”, në orën 20:45.
Në prag të kësaj sfide të rëndësishme për kuqezinjtë, trajneri Sylvinho doli në konferencën zyrtare për mediat.
Braziliani foli për përgatitjet e skuadrës për ndeshjen ndaj Anglisë dhe problemet në mbrojtje. Ai theksoi se do të jetë një ndeshje e vështirë, por e gjitha për tu shijuar.
Pavarësisht kundërshtarit, trajneri i Kombëtares tha se lojtarët do të japin maksimumin në fushë, pasi në futboll mund të ndodhi gjithçka.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por në të njëjtën kohë shumë e këndshme. Është e vërtetë që nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur, por besoj që kjo kohë duhet të mjaftojë për t’u përgatitur për një ndeshje të tillë. E kemi diskutuar këtë edhe në një mbledhje me trajnerët në FIFA. Sa e vështirë është të jesh trajner i një Kombëtareje, ke shumë pak kohë, dy ndeshje në tre ditë, ndërkohë duhet t’i menaxhosh të dyja ndeshjet. Mos të harrojmë që kemi një ndeshje tjetër ndaj Andorrës. Por kjo është ndeshja e parë dhe kemi menduar vetëm për Anglinë. Do të jetë e vështirë sepse nuk ka mjaftueshëm kohë, do të preferonim të kishim më shumë kohë për të bërë një stërvitje të gjatë, por kemi përdorur video dhe kemi folur me lojtarët. Mos të harrojmë një tjetër detaj: lojtarët shpesh vijnë të lodhur, jo vetëm nga Shqipëria, por nga të gjitha Kombëtaret, pasi sezoni është i gjatë. Por nuk duhet të ankohemi, sot do të zhvillojmë stërvitjen e fundit dhe nesër do të vendosim për formacionin”, tha Sylvinho.