Klasikja Vllaznia-Tirana, rrahje mes tifozëve
Vllaznia është mundur 0-1 nga Tirana, në ndeshjen e javës së 8-të të kategorisë superiore, e cila u luajt në stadiumin “Kukës Arena”.
Të pakënaqur nga kjo humbje, tifozët e skuadrës shkodrane kanë sulmuar tifozët e Tiranës, në një vend pushimi në Reps.
Pasi zbritën nga autobusi, ata filluan të ofendojnë mbështetësit e skuadrës kryeqytetase. Më pas, situata u acarua, duke kaluar në hedhjen e sendeve të forta dhe përleshja mes palëve u bë e pashmangshme.
Nga përleshjet 5 persona të plagosur janë dërguar në spitalin e Rrëshenit. Kjo nuk është hera e parë në vitet e fundit, që klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana përfundon në përleshje midis tifozerive të të dyja skuadrave.
Këto pamje nuk i shërbejnë aspak sportit më të ndjekur në botë, futbollit, i cili ashtu si edhe disiplinat e tjera duhet të përcjellin mesazhin e paqes e bashkimit dhe jo dhunës.
Vllaznia ka grumbulluar vetëm një pikë në tre ndeshjet e fundit, me dy humbje dhe një barazim. Skuadra e drejtuar nga trajneri Memelli ndeshjen e radhës e ka me Skënderbeun.