Superliga e basketbollit rikthehet me superduele

Superliga e basketbollit rikthehet me superduele

Fundjava sjell duelet interesante në javën e 24-t të ProCredit Superligës.

Kampionati për garat e rregullta po shkon drejt fundit, ku çdo përballje është shumë e rëndësishme dhe interesante.

Trepça-Vëllaznimi është një përballje interesante, me të dy skuadrat që synojnë të renditen sa më lartë në renditje para garave të “Play-off”-it. Mitrovicasit janë në pozitën e dytë së bashku me Sigal Prishtinën, me 15 fitore e tetë humbje, derisa kuqezinjtë në vendin e pestë me 11 fitore e 12 humbje.

Të shtunën zhvillohet derbi i qytetit mes Bashkimit dhe Proton Cable Prizrenit. Dy skuadrat janë në formë në ndryshme. Bashkimi është në vendin e parë me 16 fitore e shtatë humbje, ndërsa Proton Cable Prizreni në vendin e fundit me pesë fitore e 18 humbje.

Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli është po ashtu një sfidë interesante. Prishtinasit kanë nëntë fitore radhazi në elitë në vitin 2025, derisa deri më tani kanë 15 fitore e tetë humbje, kurse therandasit kanë dhjetë fitore e 13 humbje, në vendin e gjashtë.

Peja-Bora është po ashtu një duel, ku të dy skuadrat luftojnë për fitore. Verdhezinjtë janë në vendin e katërt me 12 fitore e 11 humbje, ndërsa prishtinasit në vendin e shtatë me tetë fitore e 15 humbje.

ProCredit Superliga-Java 24

E shtunë

20:00 Trepça – Vëllaznimi

20:00 Bashkimi – Proton Cable Prizreni

E diel

20:00 Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli

20:00 Peja – Bora

Share This