Komiteti HatTrick i UEFA-s viziton FFK-në

Komiteti HatTrick i UEFA-s viziton FFK-në

Një delegacion i Komitetit HatTrick të UEFA-s, i kryesuar nga zëvendëspresidentët Karl Erik Nilsson dhe Armand Duka, ka vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës, ku është pritur nga presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm në detyrë, Markus Weidner.

Gjatë vizitës, delegacioni është njohur nga afër me projektet dhe punën që FFK po bën për zhvillimin e futbollit në vend.

Sipas komunikatës së FFk-së, Karl Erik Nilsson ka vlerësuar angazhimin e federatës kosovare, duke theksuar se qëllimi i programit HatTrick është të inkurajojë federatat anëtare të përmirësohen në të gjitha aspektet.

“FFK ka bërë hapa të rëndësishëm në ngritjen e standardeve të futbollit. Ne jemi të lumtur të shohim progresin dhe të ofrojmë mbështetjen tonë për projekte që ndihmojnë zhvillimin e këtij sporti”, ka thënë Nilsson.

Komiteti HatTrick, një nga organet më të rëndësishme vendimmarrëse të UEFA-s, këtë vit ka përzgjedhur Kosovën për të organizuar një nga mbledhjet e tij të rëndësishme, e cila synon të ofrojë ndihmë për realizimin e projekteve të federatave anëtare.

Gjatë qëndrimit në FFK, anëtarët e delegacionit panë nga afër zyrat dhe ambientet e federatës, të cilat janë ndër projektet e mbështetura nga programi HatTrick. Ata gjithashtu kanë takuar administratën e FFK-së, e cila tashmë numëron rreth 50 punonjës, një rritje e ndjeshme falë mbështetjes së këtij programi.

Në delegacionin e UEFA-s ishin të pranishëm edhe George Koumas, Michail Kassabov, Marie Coipel, Wojciech Cygan, Niccolò Donna, Kaarlo Kankkunen, Armen Melikbekyan, Muamed Sejdini, Zoltán Roskó, Samuel Scheidegger, Ane Guro Skaare-Rekdal dhe përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri.

Share This