Gjuka: Ndeshja ndaj Ukrainës është historike për ne  

Gjuka: Ndeshja ndaj Ukrainës është historike për ne  

Hendbollisti i kombëtares së Kosovës në hendboll, Egzon Gjuka mendon se dueli me Ukrainën është sfida më e madhe e Dardanëve.

Kosova dhe Ukraina do të përballen të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në kuadër të fazës së dytë të kualifikimeve për Evropianin 2026.

Gjuka thotë se gjasat për kualifikim në Evropianin e ardhshëm do të jenë të mëdha në rast të fitores ndaj ukrainasve.

“Ndeshja e së enjtes është më e madhja dhe në një mënyrë historike për ne. Nëse fitojmë kemi gjasa të mira të shkojmë në Evropian. Na mbetet më pas si finale ndeshja e fundit ndaj Ishujve Faroe që po ashtu e kemi në shtëpi”, ka thënë Gjuka.

“Qëllimin e kemi të qartë. Do të japim maksimumin dhe i bëj ftesë publikut të na përkrahë të enjten. Na duhet përkrahja, së bashku të arrijmë fitore të madhe”, ka  theksuar ai.

Ndeshja mes Kosovës dhe Ukrainës fillon në orën 20:15.

Share This