Dy raste pozitive me fruth në Gjakovë, tri të tjera në monitorim

Dy raste pozitive me fruth në Gjakovë, tri të tjera në monitorim

Dy raste me sëmundjen e fruthit po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ndërsa tri të tjera janë në monitorim. IKSHPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve.

Është dita e dytë që dy fëmijë po qëndrojnë për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm ‘’Isa Grezda’’ në Gjakovë.

Kjo pasi janë prekur nga sëmundja e fruthit.

Që të dy pacientët, nuk kanë qenë të vaksinuar.

Por veç tyre, edhe tri raste të tjera janë në monitorim nga ekipet shëndetësore.

“Dy raste janë t’u u trajtu, gjendjen e kanë stabile. Edhe tri raste të tjera janë në monitorim, pasi kanë refuzu trajtimin në spital…”, shprehet Afrim Sylejmani, infektolog në Spitalin e Gjakovës

Ndërsa kjo sëmundje sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është mjaft ngjitëse.

Prandaj IKSHPK ka një thirrje për të gjithë prindërit.

“Është e rëndësishme që pavarësisht moshës së fëmijëve t’i sjellin nëpër qendrat e vaksinimit dhe të vaksinojnë fëmijët e tyre dhe të kompletohen me dy doza”, thotë Fetije Maksutaj – Fetaj.

Por për të marrë vaksinat, paraprakisht rekomandohet kontrollimi i kalendarit të vaksinimit.

“Prindërit të kontrollojnë kartelat e vaksinimit sepse secili prind që ndoshta ka pasë një vonesë për arsye të ndryshme që munden me qenë edhe sëmundjet akute, viroza të ndryshme etj etj, të kontrollojnë dhe të afrohen deri tek qendrat e vaksinimit”, thotë ajo..

Përveç në Gjakovë, dy raste të tjera me fruth janë konfirmuar në Fushë Kosovë që nga fillimi i këtij viti.

Vaksina MMR zakonisht jepet në dy doza për fëmijët 12 deri në 15 muaj si dhe në moshën 5 deri në 6 vjet.

Share This