
Etnik Brruti zgjedh Shqipërinë, reagon babai i lojtarit
Ish-kapiteni i kombëtares së Kosovës U21, Etnik Brruti tashmë edhe zyrtarisht ka vendosur t’i bashkohet kombëtares së Shqipërisë.
Brutti, i cili është pjesë e Malishevës, do të vesh fanellën kuqezi, vendim ky që u kritikuar shumë në Kosovë.
Për vendimin e tij ka reaguar tashmë edhe babai i futbollistit, Besnik Brruti përmes një shkrimi në rrjetet sociale.
Ai ka thënë se vendimi i djalit të tij nuk është tradhëti, por ai thjesht po ndjek rrugën e zemrës së tij, duke mbrojtur vlerat kombëtare.
“Tradhtarë janë të gjithë ata që i thonë tradhti mbrojtjes së flamurit të Adem Jasharit , Zahirit, Agimit e të gjithë dëshmorëve të rënë për liri! Biri im ka marrë një vendim që buron nga bindjet e tij dhe dashuria për kombin. Ai nuk e ka refuzuar Kosovën, por ka zgjedhur të luajë për kombëtaren Shqiptare, për flamurin me të cilin i kemi mbështjellë dëshmorët tanë.
Kjo nuk është tradhti, por besnikëri ndaj idealit për të cilin kemi luftuar. Të gjithë ata që sot e gjykojnë duhet ta dinë se askush nuk mund të na japë leksione për atdhedashuri dhe sakrificë për Kosovën. Askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim vendimin e Brrutit, i cili me zemër dhe shpirt po ndjek rrugën e tij, duke mbrojtur vlerat kombëtare. Për ne, Kosova dhe Shqipëria nuk ndahen, sepse jemi një komb, një gjak dhe një histori”, ka shkruar babai i Etnik Brrutit.