Sylvinho zbardh listën e futbollistëve, rikthehet Broja
Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, braziliani Sylvinho të premten e ka zbardhur listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e tetorit.
Kuqezinjtë më 12 tetor në “Air Albania”, luajnë ‘finalen’ e Evropianit kundër Çekisë, sfidë kjo tejet e rëndësishme në garën për kualifikim në EURO 2024, derisa Shqipëria më 17 tetor do të luajë edhe miqësoren kundër Bullgarisë.
Në listën e përbërë nga 25 futbollistë ka ndryshime të pakta në krahasim me sfidat ndaj Çekisë dhe Polonisë në shtator. Rikthehet me Kombëtaren sulmuesi Armando Broja, i cili e ka lënë pas dëmtimin në gju dhe së fundmi edhe ka luajtur me Chelsea në Premier Ligë, ndërsa do të mungojë Odise Roshi.
Shqipëria do të nisë zyrtarisht përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit”.
Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet, ndërkohë që është programuar që trajneri Sylvinho të dalë në konferencë për mediet ditën e shtunë prej orës 11:00 në sallën e konferencave në “Shtëpinë e Futbollit”.