
Kurti: Siguria, drejtësia e sundimi i ligjit, shtylla të shtetit të fortë
Shërbimit Korrektues të Kosovës i janë bashkuar edhe 111 kadetë, të cilët diplomuan në gjeneratën e 45-të për t’u bërë pjesë e këtij shërbimi. Kreu qeveritar e quajti këtë ditë të veçantë jo vetëm për Shërbimin Korrektues, por dhe për sigurinë e vendit.
“Me diplomimin e gjeneratës së 45-të të Shërbimit Korrektues, ne forcojmë edhe më shumë sistemin tonë korrektues dhe i shtojmë radhët me profesionistë të përgatitur. Ata e ato do të jenë garantues të drejtësisë e rregullit në institucionet korrektuese”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit kosovar tha se diplomimi i 111 kadetëve, sot nuk është thjesht një ceremoni, por dëshmi e angazhimit për një sistem korrektues të fuqishëm, të sigurt e të drejtë.
“Puna në sistemin korrektues nuk është e lehtë, por e domosdoshme. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sigurisë. Kemi investuar në infrastrukturë, kemi forcuar njësitë e specializuara e kemi zgjeruar programet rehabilituese për të burgosur”, tha shefi qeveritar.
Kurti foli edhe për rritjen e numrit të rasteve të parandalimit të kontrabandës, duke thënë se kjo dëshmon angazhimin e shtuar në luftën kundër dukurive negative në vend.
Foli edhe për progresin në rritjen e numrit të grave që janë bërë pjesë e këtij shërbimi gjatë kësaj periudhe.
“Qeveria do të vazhdojë të mbështesë fuqizimin e Shërbimit Korrektues. Siguria, drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtylla të një shteti të fortë. Ju, nga sot jeni pjesë e kësaj shtylle”, u tha Kurti kadetëve të rinj.
Ndërkaq, Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë tha se Shërbimi Korrektues nuk është thjeshtë një hallkë në zinxhirin e drejtësisë, por një mekanizëm vendimtar për sigurinë publike, rehabilitimin e të dënuarve dhe garantimin e një sistemi korrektues që mbështetet në ligj, profesionalizëm dhe dinjitet njerëzor.
“Për shkak të përpjekjes sonë dhe angazhimit maksimal, ne sot vlerësohemi edhe nga raportet vendore e ndërkombëtare, siç është Raporti për Vendin, raportet e Këshillit të Evropës dhe DASH-it. Ne nuk po kremtojmë vetëm suksesin tuaj, por edhe fuqizimin e Shërbimit Korrektues. Ky fuqizim nuk është i rastësishëm, por rezultat i reformave”, tha Haxhiu.
Ministrja ka treguar se gjatë katër vitesh i janë bashkuar këtij shërbimi edhe 100 gra, çka sipas saj tregon se ky institucion i sigurisë nuk është vetëm për burrat.
“Ju nuk po bëheni thjesht pjesë e një institucioni, por pjesë e një misioni të madh, për të forcuar sundimin e ligjit e një sistem korrektues që bazohet në integritet”, shtoi ajo.
Vetë drejtori i këtij shërbimi korrektues, Ismail Dibrani tha se në tri vitet e fundit është rritur siguria, ku numri i rasteve të parandalimit të kontrabandës brenda institucioneve ka arritur në 500, nga 100 sa ka qenë më herët.
“Zyrtari korrektues nuk është thjesht një zbatues i rregullave, por një garantues i sigurisë dhe një faktor i rëndësishëm në procesin e rehabilitimit dhe socializmit të personave të privuar nga liria. Me profesionalizëm ju do të luani një rol kyç në forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë”, tha Dibrani në këtë ceremoni. /rtk/