Jamie Shea: Trump mund të kërkojë favore për t`i mbajtur trupat në Kosovë

Jamie Shea: Trump mund të kërkojë favore për t`i mbajtur trupat në Kosovë

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka deklaruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore në këmbim të mbajtjes së trupave amerikane në Kosovë.

Shea, i cili ka shërbyer në role të ndryshme në NATO deri në tërheqjen e tij në vitin 2018, nuk pret ndryshime të menjëhershme në praninë e trupave amerikane në Evropë, e rrjedhimisht as në Kosovë, por thotë se situata mbetet e pasigurt dhe duhet vëzhguar me kujdes.

Sipas tij, kontingjenti amerikan në Kosovë është i vogël dhe “nuk është barrë e madhe financiare për SHBA-në, në krahasim me forcat amerikane në Gjermani apo Poloni”.

Ai gjithashtu kujton se Trump, në të kaluarën, “është përpjekur ta luajë paqebërësin mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe thotë se trupat amerikane në Kosovë “i japin SHBA-së një levë më të madhe në këtë rol”.

“Por, Trump është transaksional dhe ai mund ta pyesë Kosovën se çfarë favoresh mund t’i ofrojë për t’i mbajtur trupat [amerikane] në Kosovë – sidomos në formë të marrëveshjeve biznesore dhe mundësive për investime. Ndaj, jini të përgatitur”, ka thënë Shea për Radion Evropa e Lirë.

Për më tepër, shton ai, zvogëlimi i buxhetit të Pentagonit do ta detyrojë medoemos ushtrinë amerikane të bëjë kursime dhe t’i rishpërndajë burimet e saj. /rel/

Share This