
Osmani: Familja Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalim në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së me rastin e Epopesë së UÇK-së.
Osmani ka thënë se familja Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës.
“Nuk ka sakrificë më të madhe se flijimi për atdheun. Në tri ditë të marsit 1998, në Prekaz ndodhi një ndër betejat më heroike të historisë së kombit shqiptar. Dëshmorë u bënë gratë, fëmijët, pleqtë, burrat. Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, ishte kështjellë e lirisë, fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë, dhe i tillë mbetet edhe sot. Familja Jashari është themeli mbi të cilin u ngrit liria e Kosovës, monument i gjallë i heroizimit të pashoq. Në historinë e njerëzimit rrallë ka ndodhur që një familje të flijohet për idealin e lirisë, duke u bërë motiv për mijëra luftëtarë”, ka thënë Osmani.