Sfidojnë Italinë, publikohet lista e Anglisë për ndeshjet e tetorit
Gareth Southgate ka publikuar listën e lojtarëve të Anglisë të ftuar për dy ndeshjet e muajit tetor.
Në këtë muaj, “Tre Luanët” do të zhvillojnë një miqësore ndaj Australisë dhe një takim të rëndësishëm për kualifikueset e Euro 2024 ndaj Italisë.
Disa nga vendimet e Southgate nuk janë mirëpritur nga opinioni publik, sidomos mungesat e Sterling dhe Ward-Proëse, që pavarësisht faktit që janë paraqitur mirë në këtë fillim sezoni, nuk janë konsideruar të mjaftueshëm për t’u bërë pjesë e ekipit.
Ollie Watkins, rigjeti vendin e tij në kombëtare pas rendimentit fantastik që e ka shoqëruar së fundmi, që kulmoi me tripletën e shënuar ndaj Brightonit në fundjavën e kaluar. Mbrojtësi i Chelseat, Levi Colwill, ka marrë gjithashtu një ftesë për këto përballje, me mbrojtësin që ka spikatur nën urdhrat e Pochetinos në sezonin e ri.
Pavarësisht faktit që nuk ka pasur shumë minuta në dispozicion, Harry Maguire mbetet i preferuari i Southgate dhe mbrojtësi i Man.United nuk mungon në listën e Anglisë.
Shumë kontroverse është konsideruar dhe thirrja e Jordan Henderson, i cili prej verës së këtij viti është pjesë e Al-Ittifaq në Arabinë Saudite, por për Southgate cilësohet si tejet i rëndësishëm dhe nuk mund të mos bëjë pjesë me përfaqësuesen e Tre Luanëve. Edhe pse pësoi një dëmtim ndaj Lens në Champions League, Bukayo Saka është bërë pjesë e Tre Luanëve për sfidat e radhës.
Më 13 tetor, Anglia do të presë Australinë në Wembley për sfidën miqësore, ndërsa katër ditë më vonë do të presë Italinë në të njëjtin impiant, në takimin e vlefshme për eliminatoret Euro 2024.
Tre Luanët janë një hap larg kualifikimit në Europian dhe pas pesë ndeshjeve të luajtura kryesojnë grupin C me 13 pikë, 6 pikë më shumë se Italia ndjekëse.