
Dinamo thyen Tiranën, rrëmben vendin e dytë
Dinamo fiton me përmbysje 4-1 derbin, ngjitet në vendin e dytë në renditje dhe thellon akoma më shumë krizën e Tiranës.
Ka qenë e bukur, plot gola dhe emocione sfida e transmetuar në RTSH.
Bardheblutë nisin më mirë ndeshjen dhe kalojnë të parët në avantazh falë një goli të Zharmuni, që tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Por festa e Tiranës nuk zgjat shumë, pasi Dinamo barazon shifrat pas 3 minutash. I pafat Meta, që devijon në portën e tij një gjuajtje të Zabërgjës. Mbyllet në barazim 1-1 pjesa e parë në “Elbasan Arena”.
Dinamo kalon në avantazh me Bregun në pjesën e dytë. Tirana nuk arrin të reagojë, madje shpërfytyrohet, pasi pëson edhe 2 gola të tjera brenda pak minutash. Fillimisht Loran dhe më pas Itodo Mandela shënojnë për skuadrën e Ilir Dajës.
Dinamo fiton 4-1 derbin dhe ngjitet në kuotën e 47 pikëve në vendin e dytë në renditje, duke parakaluar Vllazninë pas javës së 27-të të kampionatit.
Komplikohet situata për Tiranën që mbetet në kuotën e 26 pikëve dhe rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.