Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e nderon klubin e Ballkanit për arritjet historike
Me ftesë të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në ambientet e FFK-së, janë pritur dhe nderuar me mirënjohje, për të arriturat historike në këto dy vitet e fundit, skuadra e FC Ballkanit.
Ballkani për dy vite me radhë është kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Klubi nga Suhareka e ka falënderuar FFK-në për mbështetjen, shkruan lajmi.
“Mbështetja e shtëpisë së madhe të futbollit të Kosovës, në prag të ndeshjes ndaj Dinamo Zagrebit, në UEFA Europa Conference League, për ne është inkurajuese. Falenderojmë presidentin Agim Ademi për respektin ndaj kampionit të Kosovës, i cili me falenderime për punën tonë që kemi bërë dhe po vazhdojmë ta bëjmë, edhe njëherë e ritheksoi arritjen e madhe të FC Ballkanit, duke kujtuar se vetëm për pak kohë, kampioni i dyfishtë i Republikës, ka arritur të rreshtohet në mesin e skuadrave të atyre shteteve, federatat e të cilëve tash e 100 vjet janë anëtare të UEFA-së dhe FIFA-së. Presidenti i klubit, Arsim Kabashi, ka falenderuar kreun e FFK-së për mirënjohjet e ndara dhe për gjithë punën që ai dhe Federata po e bëjnë për futbollin e Kosovës. Mirënjohjet e dhuruara nga FFK-ja, timonjeri ynë i skuadrës Ilir Daja ia ka dedikuar krejt futbollistëve tanë, të cilët ndonëse me orare shumë të ngjeshura në garat vendore e ndërkombëtare, po arrijnë rezultate historike”, shkruhet në njoftimin e ekipit nga Suhareka.
Ballkani do ta zhvillojë një ndeshje të madhe sonte në garat evropiane.