
Messi: Kalimi te Inter Miami, pasojë e një periudhe të vështirë te PSG
Lionel Messi ka treguar se vendimi për t`u transferuar te Inter Miami në Major League Soccer ka qenë i ndikuar nga përvoja e tij e vështirë te Paris Saint-Germain.
Tridhjetë e shtatë vjeçari, i cili gjatë dy viteve në Paris kishte fituar dy tituj të Ligue 1 dhe Superkupën e Francës, ishte larguar nga PSG në vitin 2023 si lojtar i lirë, duke zgjedhur të vazhdojë karrierën në SHBA.
“Nënshkrimi me Inter Miami ishte një mundësi që erdhi si pasojë e mënyrës se si shkuan gjërat në vitet e mia të fundit te PSG”, ka thënë fituesi i tetëfishtë i “Topit të Artë” në një intervistë për “Apple Music”.
“Ishte një vendim që duhej ta merrja, sepse u detyrova të largohesha nga Barcelona dhe më pas kalova dy vite që nuk i shijova. Nuk isha i lumtur as në stërvitje, as në ndeshje. Ishte e vështirë të përshtatesha”, ka shtuar kapiteni i Argjentinës.
Messi, i cili ka fituar dhjetë tituj të La Liga, katër trofe të Champions League dhe tri Kupa të Botës për Klube me Barcelonën, u detyrua të largohej nga klubi katalanas në vitin 2021 për shkak të problemeve financiare të klubit, duke firmosur më pas një kontratë dyvjeçare me PSG-në.
Pavarësisht suksesit me Argjentinën në Kupën e Botës 2022, Messi ishte përballur me kritika të ashpra në Paris, veçanërisht pas eliminimit të PSG-së nga Champions League. Për më tepër, ai ishte pezulluar nga klubi për një udhëtim të paautorizuar në Arabinë Saudite, duke humbur një seancë stërvitore.
Pas largimit nga PSG, ai kishte zgjedhur Inter Miamin, duke refuzuar një ofertë të majme nga Arabia Saudite, me synimin për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit në Shtetet e Bashkuara.
“MLS ka evoluar dhe vazhdon të rritet. Shpresoj që të mos ndalet dhe që edhe klubet e tjera të ndjekin shembullin e Inter Miamit për të forcuar konkurrencën”, ka thënë Messi.