Evropa me Ukrainën, liderët evropianë reagojnë pas takimit Trump-Zelensky

Evropa me Ukrainën, liderët evropianë reagojnë pas takimit Trump-Zelensky

Pas takimit të tensionuar midis presidentit amerikan Donald Trump, zëvendësit të tij JD Vance dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, liderët evropianë kanë reaguar fuqishëm në mbështetje të Ukrainës.

Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se Rusia mbetet agresori dhe se vendet evropiane kishin të drejtë kur ndihmuan Ukrainën dhe vendosën sanksione ndaj Rusisë, duke shtuar se është e rëndësishme të respektohen ata që luftojnë për dinjitetin dhe sigurinë e Evropës.

Edhe Friedrich Merz, i cili pritet të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, shprehu mbështetjen e tij për Ukrainën.

“I dashur Volodymyr Zelenskyy, ne qëndrojmë me Ukrainë në kohë të mira dhe në vështira. Nuk duhet të ngatërrojmë kurrë agresorin dhe viktimën në këtë luftë të tmerrshme’’, ka shkruar ai.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka dalë fuqishëm në përkrahje të presidentit Zelensky. “Dinjiteti juaj nderon trimërinë e popullit ukrainas. Qëndro i fortë, trim, qëndro i patrembur. Nuk je kurrë vetëm, i nderuar President Zelensky”, ka shkruar Von der Leyen.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, theksoi se Evropa do të rrisë mbështetjen për Ukrainën në mënyrë që ajo të vazhdojë të luftojë kundër agresionit rus.

“Ukraina është Evropë! Ne qëndrojmë përkrah Ukrainës. Do ta shtojmë mbështetjen tonë për Ukrainën që ata të mund të vazhdojnë të luftojnë kundër agresorit. Sot, u bë e qartë se bota e lirë ka nevojë për një udhëheqës të ri. Na takon neve, evropianëve, ta marrim këtë sfidë”, shkroi Kallas në ‘X’.

Ndërkaq, kryeministri polak dhe ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, përmes një postimi në X, i siguroi ukrainasit se nuk janë vetëm. /rtk/

Share This