Kosova po bëhet me Ligj të ri të Sportit
Kosova shumë shpejtë do të bëhet me ligjin e ri për sport.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një njoftimi, ka bërë më dije se “Drafti i Projektligjit për Sport dje është prezantuar para qytetarëve dhe komunitetit sportiv, përmes së cilit parashihet reformimi i sistemit sportiv në vend”.
Për hartimin e tij MKRS gjatë tërë vitit ka bashkëpunuar me institucionet relevante, strukturat sportive, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile.
“Përkufizime të reja dhe bashkëkohore për sportin, riorganizimi institucional sportiv përmes së cilit përveç që do të ndahet përgjegjësia vendimmarrëse, njëkohësisht edhe do të fuqizohet sektori si tërësi, përcaktimi i qartë i të drejtave dhe përgjegjësive të individëve, organizatave dhe entiteteve tjera përbrenda sistemit, ndërtim i mekanizmave të rinj institucional dhe organizativ që do t’i shërbejnë procesit të koordinimit të sektorit dhe zbatimit të ligjit, krijimi i bazës ligjore për zhvillimin e sporteve elektronike në vend, ndërtimi i regjistrit shtetëror të sportit që do t’i shërbejë procesit të digjitalizimit të administratës sportive dhe lirimin e komunitetit nga procedurat e tepërta burokratike, llasifikimi i infrastrukturës sportive dhe rregullim i bazës ligjore për menaxhimin e tyre, këto janë disa nga qëllimet e Projektligjit”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Gjatë takimit, sipas këtij njoftimi, të pranishmit shpalosën komentet e tyre për Projektligjin, e të cilat grupi punues do t’i adresojë gjatë ditëve në vazhdim.