
Morata dëshiron që karrierën ta përfundojë aty ku e nisi
Në një intervistë për gazetën “Marca”, sulmuesi spanjoll Alvaro Morata ka zbuluar arsyet e largimit nga Atletico Madrid verën e kaluar për t’u transferuar te AC Milan.
“Në atë kohë ishte ajo që kërkonte trupi dhe koka ime. Ndonjëherë vendimet merren në kohën e duhur. Pas Evropianit, njerëzit në Spanjë nuk më shihnin më në të njëjtën mënyrë, por këto janë vendime që i merr futbolli. Në fund, nuk isha aq rehat sepse kisha shkuar atje për të qenë me Fonseca-n”, tha Morata.
Megjithatë, eksperienca e tij në Milan nuk zgjati shumë dhe tani sulmuesi spanjoll është pjesë e Galatasaray-t. Pavarësisht kësaj, Morata nuk e fsheh dëshirën për t’u rikthyer te klubi ku hodhi hapat e parë si futbollist. Getafe.
“Do të doja t’i shpërbleja presidentit të Getafes, Angel Torres, për gjithë dashurinë që më treguan kur isha 13 vjeç. Zemra ime po më kërkon të kthehem dhe të shijoj një ose dy vjet, ose sa të zgjasë karriera ime”, theksoi ai.
Me një karrierë të pasur në klube të mëdha si Real Madrid, Juventus, Chelsea dhe Atletico Madrid, Morata lë të hapur mundësinë që ta përfundojë rrugëtimin e tij profesional atje ku gjithçka nisi.