
Sot Kosova-Letonia, Dardanet synojnë fitoren e dytë
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave, sot do të përballet me Letoninë në ‘Fadil Vokrri’, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Dardanet dhe letonezet do të ballafaqohen në kuadër të Grupit 6 në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Pas fitores bindëse ndaj Maqedonisë së Veriut (4:0), futbollistët e kombëtares sonë, janë të motivuara për të vazhduar me rezultate pozitive dhe për një paraqitje tjetër të njëjtit nivel.
Kosova mbrëmë ka zhvilluar seancën e fundit para duelit me Letoninë.
Gjatë kësaj seancë ekipi ka punuar në përmirësimin e disa aspekteve taktike, me fokus në eliminimin e gabimeve të evidentuara në ndeshjen e kaluar.
Përzgjedhësi Sami Sermaxhaj u shpreh optimist për paraqitjen pozitive të ekipit tonë, duke theksuar se “skuadra ka bërë përgatitjet e duhura për këtë sfidë”.
Kosova renditet e para në Grupin 6, me 3 pikë dhe synon të vazhdojë ecurinë pozitive në këtë kompeticion, me qëllim të realizimit të objektivit për rikthim në Ligën B.
Ndeshja Kosova-Letonia fillon në orën 14:00.