
Janari i zi për Kosovën: Eksportoi veç 59 milionë, importoi 473 milionë euro
Deficiti tregtare është thelluar ndjeshëm në muajin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat e fundit zbulojnë sërish një dallim të madh mes eksportit dhe importit të mallrave.
Agjencia e Statistikave të Kosovës publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2025.
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 29,6% në muajin janar 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 414,1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 319,6 milionë euro në vitin 2024, shkruan Demokracia.com.
Eksporti i mallrave në muajin janar 2025 kishte vlerën 59,7 milionë euro, ndërsa importi 473,8 milionë euro, që është një rënie prej (-1,1%) për eksport, si dhe një rritje prej 24,7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24,2% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 14,0% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11,5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6,6% e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili, etj.
Tregtia e jashtme e Kosovës vazhdon të jetë e orientuar kryesisht drejt Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit.
Eksportet në BE arritën në 22,5 milionë euro, me një rritje prej 22,3 për qind. Partnerët kryesorë ishin Gjermania, Italia dhe Holanda.
Në anën tjetër, importet nga BE-ja arritën në 204,5 milionë euro , me një rritje prej 24,4 për qind. Gjermania mbetet furnizuesi kryesor, e ndjekur nga Italia dhe Greqia.
Sa i përket tregtisë me vendet e CEFTA-s, eksportet arritën në 24,1 milionë euro, me një rritje prej 10,8 për qind.
Importet nga CEFTA arritën në 83,6 milionë euro, ku Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin furnizuesit kryesorë.
Në tregtinë me vendet e tjera të botës, eksportet arritën në 13,1 milionë euro, ku Zvicra dhe ShBA-ja ishin destinacionet kryesore.
Importet nga vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s arritën në 185,7 milionë euro, ku Turqia dhe Kina kryesuan listën.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 22,5 milion Euro, ose rreth 37,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 22,3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,8%), Italia (4,0), Holanda (3,9%), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 24,1 milion Euro, ose 40,0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10,8%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (15,5%), Shqipëria (14,5%), Serbia (4,5%), Mali i Zi (4,4%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 13,1 milion Euro, ose 21,9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,8%) dhe SHBA (2,8%).
Importet e Kosovës me vendet e BE-së
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 204,5 milion Euro, ose 43,2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 24,4%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,1%), Italia (6,1%), Greqia (4,5%), etj.
Importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 83,6 milion Euro, ose 17,6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 45,1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (7,7%), Shqipëria (6,2%), Serbia (3,0%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 185,7 milion Euro, ose 39,2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12,9%) dhe Kina (12,1%)./Demokracia.com/