
Sevasti Qiriazi, patriotja që organizoi arsimimin e vajzave në gjuhën shqipe
Më 24 shkurt të vitit 1871, lindi në Manastir, atdhetarja Sevasti Qiriazi Dako e cila luajti një rol të madh në arsimimin e vajzave në gjuhën shqipe.
Sevastia ishte gruaja e parë shqiptare që ndoqi studimet e larta në auditorin e “Robert College” në Stamboll. Në vitin 1891, pas përfundimit të këtij angazhimi akademik, u kthye në Shqipëri dhe dha ndihmesë domethënëse në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë. Së bashku me motrën e saj, veprimtaren gjithaq të përkushtuar, Parashqevi Qiriazin, Sevastia edukoi në këtë shkollë brezat e parë të të rejave.
Sevasti Qiriazi ka hartuar dhe redaktuar një sërë tekstesh shkollore bashkë me të shoqin, arsimtarin atdhetar Kristo Dako. Ka qenë pjesëmarrëse në të dy kongreset e rëndësishme që hodhën themelet e alfabetit dhe arsimit shqiptar, në Kongresin e Manastirit dhe atë të Elbasanit. Në drejtim të çështjeve kombëtare, ka bashkëpunuar me kryeministrin e Pavarësisë, Ismail Qemalin, si edhe me grupet patriotike shqiptare që gjendeshin jashtë vendit.
Në cilësinë e kryetares së Partisë Kombëtare Shqiptare në SHBA, trumbetoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ligjëratat e mbajtura në shumë forume ndërkombëtare. Përpjekjet e saj për zhvillimin e arsimit dhe emancipimin shoqëror të femrës shqiptare, vijuan edhe pas kthimit të saj në Shqipëri në vitin 1920, me hapjen e institutit femëror “Kyrias”.
Shënimet e saj autobiografike, Sevasti Qiriazi i përmblodhi nën titullin “Lufta për emancipimin e bijave të shqipes”. /atsh/