Botërori i vitit 2030 do të mbahet në gjashtë shtete e tri kontinente
Kampionati botëror i futbollit i vitit 2030 do të mbahet në gjashtë shtete në tri kontinente. Portugalia, Spanja, Maroku, Uruguai, Paraguai dhe Argjentina do të jenë bashkorganizatorë të Botërorit, i cili përkon me njëqindvjetorin e Kupës së Botës, e cila u luajt për herë të parë në Uruguaj në vitin 1930.
Pas ndeshjeve hapëse në Amerikën e Jugut, gara do të zhvendoset në Spanjë, Portugali dhe Marok, ku do të luhen ndeshjet e mbetura.
Kjo është hera e parë që Kupa e Botës do të zhvillohet sipas këtij plani ku përfshihen tri kontinente dhe gjashtë shtete, meqë dihet se deri më tash më e shumta që ka ndodhur ka qenë organizimi i kampionatit nga dy shtete të të njëjtit kontinent.
“Në një botë të ndarë, FIFA dhe futbolli po bashkohen”, ka thënë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Botërori i fundit është mbajtur në Katar, ku kampion doli Argjentina.