
Abdixhiku: LDK e respekton vullnetin qytetar, nuk dëshiron ta anashkalojë
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë partia që ai drejton e respekton vullnetin qytetar në plotni, vullnet që tha se as nuk dëshiron e as nuk pretendon ta anashkalojë dhe se do të sillet konform këtij vullneti me plot përgjegjësi.
Kështu tha Abdixhiku, gjersa tregoi për takimet që ka zhvilluar gjatë ditëve të shkuara me ambasadorë të QUINT-it, me të cilët tha se diskutuan mbi procesin zgjedhor, rezultatet e deritanishme, e domosdoshmërinë për pritjen e numërimit të secilës votë, përfshirë dhe ato të mërgatës.
“Gjatë kësaj jave, prita në takim ambasadorët e përfaqësuesit e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian, Francës e Italisë. Me të gjithë, diskutuam mbi procesin zgjedhor, rezultatet e deritanishme, e domosdoshmërinë për pritjen e numërimit të secilës votë, përfshirë dhe ato të mërgatës. Siç kam deklaruar në vazhdimësi, LDK e respekton vullnetin qytetar në plotni. As nuk dëshiron e as nuk pretendon ta anashkalojë. LDK do të sillet konform këtij vullneti me plot përgjegjësi; siç dhe do të përfaqësojë denjësisht zërin e votuesit tonë. Falënderime të pafundme për mbështetjen e aleatëve tanë në çdo sfidë të Republikës”, ka shkruar lideri i LDK-së, raporton rtk.