Broja gati për Çekinë e qetëson tifozët për dëmtimin
Armando Broja e shenjoi ndeshjen e tij të parë si titullar pas gati një viti, duke shënuar golin e tij të dytë në Premier League me fanellën e Chelsea.
Në ndeshjen kundër Fulham, shkodrani u zgjodh surprizisht në formacionin e parë nga tekniku Pochettino, 324 ditë nga hera e fundit që e kishte nisur si titullar. Një mundësi që 22 vjecari e kishte pritur shumë, gjatë kohës që qendronte jashtë fushës për shkak të dëmtimit të rëndë. E ndoshta edhe për këtë arsye tentoi të mos zhgënjente në besimin që iu dha.
Driblime e aksione në progresion, që dhanë idenë e Brojës më të mirë. Sulmuesi i kombëtares ndezi edhe londinezët që në dy minuta shënuan dy gola me Mudryk e vetë Brojën. Britma e clirimit shpërtheu për 22 vjeçarin, që e kishte ëndërruar këtë moment.
‘Është një ndjesi e pabesueshme. U bë një kohë e gjatë që e prisja. Kam qenë jashtë për shumë kohë dhe është bukur të kthehesh. Jam shumë i lumtur për fitoren e skuadrës dhe tani do të shohim përpara. Është një ndjesi edhe më e mirë për veten time, që shënova golin e parë të sezonit në ndeshjen time të parë si titullar, kështu që jam i lumtur”, tha Broja pas ndeshjes.
Një performancë e vlerësuar edhe nga tekniku Pochettino e në fakt dukej mbrëmja pefekte, deri kur një dëmtim i ri i frikësoi të gjithë. Tifozët e Chelsea të pranishëm në Craven Cottage i dhanë Brojës një standing ovation ndërsa linte fushën e lojës, duke prekur kofshën në minutën e 65’.
Por tekniku argjentinas i ka qetësuar të gjithë, përfshirë teknikun Sylvinho që mezi pret ta ketë në dispozicion për ndeshjen vendimtare për kualifikimin në Euro 2024 kundër Republikës Ceke:
“Ndjeu diçka, por fola me të dhe më tha se nuk është asgjë serioze. Jam i lumtur për të dhe do të jetë gati për fundjavën” saktësoi Pochettino.