
Hamza: Nderojmë ata që lirisë e pavarësisë ia vunë themelet dhe sot të privuar larg, paguajnë çmimin e tyre
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka bërë një dedikim duke uruar popullin e Kosovës me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë.
Ai flet për ndjenjën e krenarisë duke nderuar dhe krerët e UÇK-së që sot padrejtësisht po gjykohen në Hagë.
”Sot është ditëlindja e 17-të e Republikës së Kosovës. Sot nderojmë historinë tonë. I nderojmë ata që sakrifikuan, që luftuan dhe pareshtur u angazhuan për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. I nderojmë ata që lirisë e pavarësisë ia vunë themelet dhe sot të privuar, shumë larg Kosovës, vazhdojnë ta paguajnë çmimin e tyre.
Me krenari dhe të palëkundur po e ndërtojmë një Kosovë, ku liria, barazia dhe drejtësia e forcojnë shtetin dhe shoqërinë.
Në zemrat dhe mendjet e qytetarëve është ëndrra e madhe për Kosovën. Në zemrat dhe mendjet e qytetarëve është forca e popullit tonë.
KOSOVË, e gëzofsh ditëlindjen e 17-të! Qytetarë krenarë, qëndroni të bashkuar dhe me shpresë!”.