
Osmani: S`ka asgjë që na ndal, Kurti: I kemi dalë hakut flijimit
Është ngritur në mënyrë solemne flamuri i Republikës së Kosovës për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë.
“Është një ditë kur ne kujtojmë sakrificën shekullore, të cilën e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është një ditë kur festojmë sukseset e arritura të Republikës sonë në këto 17 vjet, duke forcuar sovranitetin, shtetësinë, subjektivitetin ndërkombëtar, sundimin e ligjit, demokracinë e ekonominë. Por poashtu është një ditë kur themi faleminderit nga zemra, për të gjthë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka, që sot ta festojmë këtë ditë të shenjtë”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, në deklarimin për media.
Ajo ka falënderuar Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin me udhëheqjen e UÇK-së dhe të gjithë qytetarët që sakrifikuan me mund e gjak që të festohet kjo ditë.
“Do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që mund ta ndal Republikën tonë, të lirë, të pavarur, sovrane dhe të përjetshme”, ka thënë ajo.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përmendur zhvillimin ekonomik dhe të qenit, sipas tij, shembull në siguri.
“Padyshim që mund të jemi krenar që i kemi dalë hakut sakrificës e flijimit të aq shumë dëshmorëve e martirëve, kontributit të jashtëzakonshëm edhe të rezistencës paqësore edhe asaj të armatosur, invalidëve, veteranëve të UÇK-së dhe të gjithë veprimtarëve që qëndruan në kohë të vështira, në mënyrë që ne të kemi kohë të mira”, ka thënë Kurti. /rtk/