
Rikthehet Superliga, vëmendja në ‘Fadil Vokrri’
Sot (e shtunë) do të fillojë xhiroja e 20-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, ku sipas programit do të zhvillohen dy ndeshje.
Vëmendja kryesore bie tek derbi që do të zhvillohet në kryeqytet, atje ku Prishtina do të jetë nikoqire e Dritës me fillim nga ora 17:00.
Mysafirët do të synojnë tri pikët për të vazhduar si lider në kampionat dhe për të mbajtur distancën me Ballkanin e vendit të dytë.
Prishtina në anën tjetër do të kërkojë të gjejë rrugën tek fitoret në ligë, pasi nuk e ka shijuar atë në katër ndeshjet e fundit, transmeton telegrafi.
Ndeshja tjetër që do të zhvillohet është ajo mes Suharekës dhe Dukagjinit, e cila do të luhet në Therandë.
Suharekasit që po kalojnë në një formë të luhatshme këtë sezon do tentojnë fitoren para shikuesve të tyre, teksa Dukagjini që gjendet në zonën e barazhit, do kërkojë rikthimin tek fitoret pas dy ndeshjeve pa rezultat pozitiv.
Kjo ndeshje është paraparë që të nis me fillim nga ora 13:00.