Broja për golin: Ndjenjë e pabesueshme, fitore të tjera do vijnë
Armando Broja është rikthyer te goli pas gati një viti.
Kishte shënuar për herë të fundit më 8 tetor 2022, në duelin ndaj Vulverhemptonit, në fitoren 3-0.
Pas një mungese thuajse 10-mujore për shkak të një dëmtimi, futbollisti shqiptar ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, duke shënuar golin e dytë në fitoren 2-0 që skuadra e tij, Çelsi, arriti në fushën e Fulham.
Pas përfundimit të ndeshjes, sulmuesi kuqezi është shprehur:
“Fitorja është një nxitje e madhe për klubin, për ne si ekip. Ne prezantuam një ekip krejtësisht të ri këtë verë, kështu që na u desh kohë për t’u njohur me njëri-tjetrin. Është gjithmonë e vështirë kur ke mjaft djem të rinj dhe staf të ri stërvitor, por unë mendoj se ne po tregojmë tani se po luajmë mirë dhe fitorja është një nxitje e madhe për të ecur përpara. Tri pikë të rëndësishme”.
Rikthimi te goli: “Është e mahnitshme. Si sulmues gjithmonë dëshiron të shënosh, në skenën e madhe dhe në momentet e mëdha. Një ndjenjë e pabesueshme të shënosh edhe në një derbi. Morëm tri pikët, që është gjëja më e rëndësishme, do punoj për ekipin dhe do përpiqem të shënoj kur të mundem”.
Efekti i fitoreve: “Fitoret sjellin atë besim dhe pozitivitet, midis grupit, tifozëve, rreth klubit. Kështu që është e rëndësishme të fitosh dhe ta bësh këtë sa më shumë që mundesh. Ne vetëm duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë dhe shpresojmë se do të vijnë fitore të tjera”.