
Kurti: Lufta kundër krimit e korrupsionit vijon të japë rezultate
Kosova është ngritur për 10 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të “Transparency International” në krahasim me vitin e kaluar.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se ky është rankimi më i mirë për vendin tonë, teksa që nga marrja e drejtimit të qeverisë nga Vetëvendosje Kosova është ngritur 31 vende në këtë indeks ndërkombëtar.
“Lufta jonë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vijon të japë rezultat e të marrë njohje e vlerësime ndërkombëtarisht. Ky është rankimi më i mirë (73/180) dhe vlerësimi më i lartë (44/100) ndonjëherë për vendin tonë në këtë indeks ndërkombëtar”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje ai tha se me luftim të korrupsionit fiton shteti e qytetarët, e bashkë me të edhe imazhi i vendit tonë, i cili, sipas Kurtit çdoherë e më shumë po përmirësohet, e Republika përherë e më shumë po lartësohet, raporton rtk.