Trump vendos sanksione ndaj GJNP-së

Trump vendos sanksione ndaj GJNP-së

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv duke vendosur sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), lidhur me hetimet ndaj Izraelit, aleatit të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

As SHBA-ja e as Izraeli nuk janë anëtarë apo nuk e njohin gjykatën, e cila ka lëshuar fletarrestime për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për krimet e pretenduara të luftës lidhur me përgjigjen ushtarake të shtetit të tij në Gazë, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023.

Si pasojë e sulmit të Hamasit u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen, afër 250 të tjerë. Ndërkaq, dhjetëra mijëra palestinezë u vranë gjatë fushatës ushtarake izraelite.

Urdhri i nënshkruar nga Trumpi e akuzon GJNP-në se po përfshihet në “veprime të paligjshme dhe pa bazë që shënjestrojnë Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë Izraelin” dhe për abuzim të pushtetit duke lëshuar “fletarrestime të pabaza” kundër Netanyahut dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.

“GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi Shtetet e Bashkuara e as Izraelin”, thuhet në urdhër, ku shtohet se gjykata ka vendosur një “precedent të rrezikshme” me veprimet e saj kundër këtyre dy shteteve.

Share This