Myrto Uzuni, i pamposhtur
Ka patur në dispozicion diçka më tepër se 17 minuta, por 13 i kanë mjaftuar për të shpëtuar skuadrën e tij nga humbja dhe për të marrë një pikë të vyer në fushë të huaj ndaj Almerias.
Edhe pse është detyruar të enjten në mbrëmje, në ndeshjen midis Granadës dhe Real Betisit, në takimin e vlefshëm për javën e 7-të të Kampionatit Spanjoll të Futbollit, të lërë fushën e blertë për shkak të një dëmtimi, Myrto Uzuni është rikthyer vendimtar për skuadrën e tij, Granadën, që ka marrë një barazim 3-3 në fushën e Almerias.
Kjo e fundit e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi 3-0, me të gjithë golat e shënuar në minutat e fundit, por Granada reagon në 24 minutat e fundit, duke ngushtuar fillimisht shifrat dhe duke barazuar, 4 minuta para fundit të kohës së rregullt, me golin e realizuar nga sulmuesi kuqezi.
Aktivizimi dhe goli është një lajm i mirë për trajnerin e Kombëtares, Silvinjon, i cili mund të llogarisë në kontributin e Uzunit në ndeshjen ndaj Republikës Çeke, aty ku padyshim luhet fati i kualifikimit të Shqipërisë për në Evropian.