Tre të mitur vdesin pas shembjës së një objekti të pabanuar në Jabllanicë
Një tragjedi ka ndodhur sonte në mbrëmje në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku një objekt i pabanuar është shembur dhe ka zënë tre fëmijë. Për fat të keq, fëmijët kanë humbur jetën.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave”, deklaroi ai.
Prokurori i shtetit është njoftuar dhe veprimet janë duke u ndërmarrë në koordinim me të për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Ndërsa, majori Milazim Lumi ka deklaruar për RTKlive se në momentin tragjik, në vendngjarje janë gjetur tre të mitur, njëri 14 vjeç dhe dy të tjerë 15 vjeç. Sipas tij, objekti që është shembur është një ndërtesë e vjetër, e mbetur pas Luftës.
Viktimat janë banorë të fshatit Jabllanicë.