Derbi ndaj Milanit, Inzaghi: Besoj te fitorja, jemi përgatitur, duhet të tregojmë vazhdimësi
Tekniku i Interit, Inzaghi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para ndeshjes ndaj Milanit.
Si menaxhohet aspekti mendor pas fitores 3-0 ndaj Monaco?
Të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson një derbi, do të jetë ndeshje e luftuar dhe plot kurthe. Milani është një skuadër e shkëlqyer, me shumë cilësi individuale. Do të na duhet një Inter agresiv dhe i vendosur.
Milani po ndryshon, sa ndikon kjo?
Ne e njohim vlerën e kundërshtarit. Këtë sezon, dy derbet e parë shkuan keq për ne. I pari me meritë, sepse Milani luajti mirë. Në të dytin, në Riad, ishim në kontroll të lojës dhe duhej të tregonim më shumë aftësi në episodet vendimtare. Goli i parë erdhi pas një faulli ndaj Asllanit, por duhej të reagonim. Patjetër, duhet të jemi më të zotët në momentet kyçe të ndeshjes, që në futboll mund të të dalin kundër”.
Si është gjendja e Calhanoglu?
Dje, ai dhe Acerbi bënë stërvitjen e parë të plotë me grupin, pas një kohe të gjatë. Punuan në mënyrë të kënaqshme dhe ndihen më mirë. Janë në grumbullim për të na ndihmuar në derbi. Krahasuar me tri vitet e para këtu, këtë sezon Calhanoglu ka pasur disa probleme më shumë. Po përpiqemi ta rikuperojmë në formën më të mirë të mundshme, duke e ditur se në të kaluarën ka munguar shumë pak. E dimë sa i rëndësishëm është për ne.
A do të jetë vendimtare stërvitja e sotme për të kuptuar nëse ai do të jetë titullar?
E kam parë mirë, ka bërë një punë të mirë, por duhet ta vlerësoj. Për momentin, ka më shumë gjasa që të mos e nisë ndeshjen nga fillimi, por mbetet ende stërvitja e sotme dhe ajo e nesërmja në mëngjes. Duhet ta shqyrtoj me kujdes, ashtu si edhe lojtarët e tjerë që dolën të lodhur nga ndeshja e së mërkurës. Kemi luajtur 16 ndeshje në dy muaj, praktikisht një fazë grupi brenda dy muajsh, dhe kemi bërë një punë të shkëlqyer për të arritur në tetëshen më të mirë të Champions-it. Tani kemi rikuperimin e sfidës me Fiorentinën dhe Kupën e Italisë në një datë të veçantë, që na pengon të përgatitemi ashtu siç kishim planifikuar. Nuk varet nga ne. Data e Kupës së Italisë mund të ishte ndryshe, por e dimë që në shkurt do të duhet të vrapojmë shumë. Mendonim se kalimi mes tetë më të mirave në Champions do të na lejonte të punonim ndryshe, por do të vazhdojmë me ndeshje të ngjeshura si në janar.
Çfarë dëshironi të shihni nesër nga lojtarët tuaj?
Vazhdimësinë që kemi treguar që nga gushti. Mund të them vetëm fjalë lavdëruese për djemtë, për atë që kanë bërë në këto pesë muaj. Kemi bërë një punë të shkëlqyer si në kampionat, ashtu edhe në Champions. Ka shumë skuadra të njohura që nuk kanë arritur mes tetë më të mirave, ndaj puna jonë është për t’u duartrokitur. E dimë se nga shkurti gjithçka bëhet më serioze, ndaj duhet të tregojmë vazhdimësi.
Duke u kthyer te derbi i Superkupës në Riad, cili ishte problemi?
Siç e thashë më parë, në derbin e parë, Milani e meritoi fitoren. Nuk bëmë mirë, ishte ndeshja jonë më e keqe e sezonit deri tani. Në derbin arab duhej t’i menaxhonim më mirë episodet. Me avantazhin 2-0 dhe ndeshjen në dorë, pati një faull të qartë ndaj Asllanit, që nuk u ndëshkua, më pas një karton i verdhë për Mkhitaryan dhe goditja e dënimit prej nga erdhi goli. Këto gjëra mund të ndodhin, por duhet të reagojmë më mirë. Janë situata që ndodhin gjatë një ndeshjeje, të gjithë kemi vite në futboll, përfshirë edhe mua. Sidoqoftë, duhet të jemi më të fortë se episodet”.