Pas 484 ditësh lirohen edhe tre pengje izraelite

Pas 484 ditësh lirohen edhe tre pengje izraelite

Militantët palestinezë liruan sot edhe tre pengje të tjerë në Rripin e Gazës, si pjesë e marrëveshjes së brishtë të armëpushimit Izrael-Hamas.

Yarden Bibas, 35 vjeç dhe shtetasi francezo-izraelit Ofer Calderon, 54 vjeç, iu dorëzuan përfaqësuesve të Kryqit të Kuq në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Rreth dy orë më vonë, shtetasi amerikano-izraelit Keith Siegel, 65 vjeç, u lirua në qytetin e Gazës.

Me lirimin e tij, dorëzimet e pengjeve për sot përfunduan.

Në këmbim, Izraeli duhej të lirojë 183 të burgosur palestinezë.

Pengjet e rrëmbyera 484 ditë më parë u dërguan në një bazë ushtarake izraelite, ku do të takonin familjet e tyre.

Më pas ata do të transferohen në spitale.

Një armëpushim në Gaza është mbajtur për gati dy javë.

Katër shkëmbime kanë liruar 18 pengje dhe qindra të burgosur palestinezë.

Një marrëveshje armëpushimi me tri faza, që hyri në fuqi më 19 janar, synon të arrijë një fund të përhershëm të luftimeve dhe lirimin e të gjithë pengjeve që ende mbahen nga milicia e Hamasit e mbështetur nga Irani dhe aleatët e tyre ekstremistë.

Pas lirimit të tre të rrëmbyerve të shtunën, 79 pengje mbahen ende në Rripin e Gazës, 35 prej të cilëve supozohen të vdekur nga Izraeli.

Një tjetër shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish është caktuar për fundjavën e ardhshme.

Gjatë kësaj faze fillestare gjashtëjavore, 33 pengje izraelite do të lirohen në këmbim të 1 904 të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Hamasi ka thënë se tetë nga 33 pengjet në listën për lirim gjatë kësaj faze kanë vdekur.

Është e paqartë se kush janë saktësisht, raporton atsh.

Share This