Humbja ndaj Palace krijon kaos te United, Ten Hag godet yllin e ekipit: Morëm vendime të gabuara

Humbja ndaj Palace krijon kaos te United, Ten Hag godet yllin e ekipit: Morëm vendime të gabuara

Manchester United ka pësuar një tjetër humbje në Ligën Premier, e katërta brenda shtatë ndeshjeve në këtë edicion.

Djajtë e Kuq janë mposhtur me rezultat minimal 0-1 nga Crystal Palace dhe tani ndodhen në pozitën e 10-të në tabelë.

Erik Ten Hag është pyetur për fajtorin kryesor për disfatën në Old Traford, derisa ai ka pasur kritika për sulmuesin Marcus Rashford.

“Duhet të jesh më i vendosur, të jesh i gatshëm të provosh të shënosh një gol. Nuk mund të them që lojtarët nuk vrapuan, por në pjesën e fundit nuk e bëmë mirë. Duhet të tregosh më shumë gatishmëri për ta shënuar atë gol”, tha Ten Hag.

Holandezi nuk është i kënaqur me Marcus Rashford i cili nuk po arrin të jetë vendimtar në repartin ofensivë.

“Nuk është çështje fati, nuk mund ta shpjegosh kështu, do të vijë por nuk po vjen automatikisht”.

“Rashford duhet të investojë shumë, ekipi duhet të investojë shumë rreth tij. Ndaj Palace ne ishim në pozicione të mira, por morëm vendime të gabuara”, tha trajneri holandez.

Rashford ka humbur këtë edicion raste të shumta shënimi dhe kjo e ka irrituar trajnerin Erik Ten Hag, pasi anglezi ka dështuar të shënoj edhe nga pozita të arta.

Mbetet të shihet nëse sulmuesi do t’i kundërpërgjigjet trajnerit holandez pas kritikave publike. /Telegrafi

Share This