“Kur Barcelona fitonte, e bënte sepse ishte më e mira”, Guardiola nuk i shpëton çështjes “Negreira”

“Kur Barcelona fitonte, e bënte sepse ishte më e mira”, Guardiola nuk i shpëton çështjes “Negreira”

Çështja “Negreira”, është kthyer sërish në modë në Spanjë aty ku Barcelona akuzohet se ka dhënë rryshfet për t’u favorizuar nga arbitrat.

Kësaj teme nuk ka mundur t’i shmanget edhe Pep Guardiola, e kaluara e të cilit është e lidhur ngushtësisht me katalanasit. Megjithatë, tekniku aktual i Manchester Cityt është shprehur qartë se ish-skuadra e tij në momentin që fitonte në fushë, e bënte sepse ishte më e mirë se kundërshtarët dhe jo për shkak të ndihmës së arbitrave.

“Këto akuzat ndaj Barcelonës janë si ato që iu bën Manchester Cityt. Edhe në atë moment unë kërkoja që të linim drejtësinë të bënte punën e saj. Për këtë çështjen “Negreira” nuk kam lexuar shumë, por nga ajo që kam dëgjuar bëhet fjalë se Barcelona ka paguar arbitrat për të përfituar në fushë.

Unë nuk e kam parë diçka të tillë dhe nuk dua të jap një opinion në këtë moment, ta lëmë drejtësinë të flasë. Barcelona ka mundësinë të mbrohet dhe jam i sigurt se do ta bëjë diçka të tillë. Por, ajo për të cilën jam i sigurt është se Barcelona ka fituar shumë dhe kur e ka bërë këtë ka ndodhur sepse ka bërë më mirë se kundërshtarët.

Për këtë jam i sigurt sepse unë kam qenë verë pjesë e Barcelonës, kemi fituar sepse kemi qenë më të mirë se kundërshtari. Dhe, kur nuk kemi fituar kjo ka ndodhur sepse nuk kemi qenë më të mirë, kaq është e gjithë historia”, u shpreh Guardiola.

Share This