Real Madrid i jep leksion Gironas, merr kreun e La Liga-s
Real Madrid ka triumfuar lehtësisht te Girona, e cila po kalonte një formë të jashtëzakonshme në La Liga.
“Los Blancos” bën një paraqitje fantastike për të fituar me rezultat 0:3 në kuadër të xhiros së tetë në kampionatin spanjoll.
Girona në fakt e nisi shumë më mirë, me Yangel Herrera që humbi një rast të artë duke goditur traversën.
Sidoqoftë, Reali krijoi një aksion të papritur me Jude Bellingham që gjeti të harruar Joselun, i cili shënoi nga afërsia për t’i dhënë epërsinë “Mbretërve” (17′).
Vetëm katër minuta më vonë, Toni Kroos harkoi te Aurelien Tchouameni që realizoi me kokë për të dyfishuar epërsinë (21’).
Real Madrid vazhdoi me dominimin e plotë me Bellingham që kishte dy raste një kundër një por që nuk ia doli t’i finalizonte.
Mirëpo, anglezi e gjeti rrugën drejtë rrjetës me një vollej të bukur pas një asistimi të Joselus (71’).
Falë kësaj fitore, Real Madrid rikthehet sërish si lider në La Liga me 21 pikë të mbledhura, derisa Girona tani bie në vendin e tretë me 19 sosh, shkruan nacionale.
Në xhiron e radhës, Real Madrid do ta pret Osasunan derisa Girona i shkon Cadizit.