Rrjeti i organizatave joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’ (DnV) ka mbajtur konferencën e radhës, në të cilën ka prezantuar të dhënat më të fundit nga monitorimi i fushatës zgjedhore në terren dhe në hapësirën online.
Violeta Haxholli dhe Rezarta Delibashzade Krasniqi, përfaqësuese të DnV-së, kanë theksuar çështjet kryesore që kanë dalë nga ky proces, duke përfshirë përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe shkeljet procedurale nga subjektet politike.
Një zhvillim shqetësues sipas DnV-së gjatë kësaj periudhe është vendimi i qeverisë së Serbisë për të ndarë para për serbët e Kosovës.
“Një nga zhvillimet kryesore të javës së dytë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është vendimi i Qeverisë së Serbisë për të shpërndarë, nga data 1 shkurt, 20 mijë dinarë (rreth 170 euro) për rreth 5 mijë serbë të papunë dhe ‘në vështirësi ekonomike’ në Kosovë. Ky veprim përbën ndërhyrje të jashtme në procesin zgjedhor të Kosovës dhe paraqet një përpjekje të hapur për të influencuar vullnetin qytetar të komunitetit serb, duke përdorur ndihmën financiare si mjet për të ndikuar në përcaktimin politik të votuesve”, tha Haxholli.
Sipas saj, subjektet politike kanë vijuar fushatën në një atmosferë relativisht të qetë gjatë javës së dytë. Megjithatë, sipas saj, është evidentuar një rritje shqetësuese e përdorimit të gjuhës së urrejtjes në tubimet elektorale.
“Po vazhdon përdorimi i gjuhës nxitëse e urryese. Rastet e tilla janë rritur në këto dy javë, ku kemi hasur në 62 aktivitete. Më së shumti raste të tilla ka në aktivitetet e Vetëvendosjes, pastaj renditen LDK, AAK e Nisma dhe PDK”, tha Haxholli.
Po ashtu, DnV ka vërejtur një përmirësim në respektimin e rregullave që ndalojnë përfshirjen e nxënësve në aktivitete elektorale. Pas pesë rasteve të evidentuara javën e parë, këtë javë nuk është raportuar asnjë rast i tillë.
Rezarta Delibashzade Krasniqi ka prezantuar gjetjet nga monitorimi i hapësirës online, duke theksuar një rritje të dukshme të komenteve të urrejtjes, veçanërisht në videot e shpërndara nga fushata zgjedhore.
“Nga ky proces kemi vërejtur rritje të komenteve të urrejtjes, veçanërisht në videot që shpërndahen nga fushata. Nga monitorimi i portaleve kemi identifikuar 300 mijë komente nga palët e treta. Kjo pasqyron gjuhën e urrejtjes, teksa më së shumti janë gratë që kandidojnë për deputete që janë përballur me gjuhë të tillë”, tha Delibashzade.
Sipas saj gratë që kanë qenë veçanërisht të ekspozuara ndaj gjuhës së urrejtjes janë Besa Kabashi Rama, Jeta Statovci dhe Albulena Haxhiu. /rtk/