Florent Muslija shkëlqen me dy gola në fitoren e Paderbornit ndaj Schalkes
Paderborn ka regjistruar fitore ndaj Schalke 04 në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë në Bundesliga 2.
Skuadra e drejtuar nga Lukas Kwasniok fitoi sonte me rezultatin 3:1. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Home Deluxe Arena”.
Si zakonisht, Florent Muslija ishte titullar te Paderborni dhe kompletoi 90 minuta.
Mesfushori kosovar ishte më meritori në triumfin e skuadrës së tij, pasi ishte autor i dy golave.
25-vjeçari fillimisht shënoi nga penalltia në minutën e 53-të, e pastaj e vulosi fitoren me golin tjetër në minutën e 76-të.
Florent Muslija tani numëron katër gola në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. Për vendasit golin e parë e shënoi Felix Platte (43’). Ndërkaq, golin e vetëm për Schalken e shënoi Yusuf Kabadayi (90+9’), shkruan Express.
Pas tetë xhirove, Paderborni ka grumbulluar 11 pikë dhe renditet i teti në tabelë. Schalke 04 është në pozitën e 16-të me shtatë pikë.