Muzeu “Onufri” – Mbi 106 mijë vizitorë në 2024, 40% rritje krahasuar me 2023

Muzeu “Onufri” – Mbi 106 mijë vizitorë në 2024, 40% rritje krahasuar me 2023

Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat gjatë vitit 2024 ka mirëpritur 106 303 vizitorë, 40% më shumë krahasuar me vitin 2023.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale një material filmik nga ky muze, së bashku me ftesën për ta vizituar atë.

Interesi i vizitorëve, e veçanërisht i turistëve të huaj, ka ardhur gjithnjë në rritje për këtë objekt kulturor që mbart në fondin e tij, objekte të rralla. Gjatë vitit 2024, vizitorët e huaj që shfaqën më shumë interes për këtë muze qenë kryesisht nga Polonia, Spanja, Italia, Franca etj.

Por fluksi i vizitorëve në Muzeun “Onufri” nuk u ndërpre as në ditët e para të këtij viti.

Muzeu i Ikonografisë Onufri është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike. /atsh/

Share This