Presidenti i ri Aoun: Izraeli duhet të tërhiqet nga jugu deri më 26 janar
Presidenti i ri i Libanit, Joseph Aoun tha sot se Izraeli duhet të tërhiqet nga jugu i vendit të tij deri në afatin e caktuar, më 26 janar, për të zbatuar plotësisht armëpushimin Izrael-Hezbollah të rënë dakord vitin e kaluar.
Deklarata vjen pas një fjalimi të udhëheqësit të Hezbollahut, Naim Qassem, i cili akuzoi Izraelin për qindra shkelje të armëpushimit, duke e paralajmëruar atë të mos testonte “durimin e Libanit” dhe duke i bërë thirrje shtetit libanez të ishte “i vendosur” në përgjigjen e tij.
Presidenti Joseph Aoun i tha shefit të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres se ishte e nevojshme që forcat izraelite të tërhiqeshin nga territoret e pushtuara në jug – brenda afatit të caktuar nga marrëveshja e arritur më 27 nëntor.
“Shkeljet e vazhdueshme të Izraelit në tokë dhe në ajër… hedhja në erë e shtëpive dhe shkatërrimi i fshatrave kufitare, bien plotësisht në kundërshtim me atë që thuhet në marrëveshjen e armëpushimit”, thuhet në deklaratën e Aoun.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të 27 nëntorit, e cila i dha fund dy muajve të luftës gjithëpërfshirëse midis Izraelit dhe Hezbollahut – ushtria libaneze ka 60 ditë kohë për t’u vendosur së bashku me paqeruajtësit e UNIFIL në Libanin jugor – ndërsa ushtria izraelite tërhiqet.
Në të njëjtën kohë, Hezbollahut i kërkohet të tërheqë forcat e tij në veri të Lumit Litani, rreth 30 kilometra nga kufiri, dhe të shkatërrojë çdo infrastrukturë ushtarake të mbetur në jug. /atsh/